Letërsia dhe Psikologjia

Duhet të ekzistojnë gjithmonë dy lloj artesh: arti - arratiak ngase njeriu do të ikë ndërsa ka nevojë për ushqim dhe  gjumë të thellë; dhe arti - parabolë, ai art që duhet t'i mësojë njeriut si të çmësoj urrejtjen dhe të mësojë  dashurinë…

..As që kam ndërmend të marr gjithësecilin shkrimtar emër për emër dhe të shqyrtoj ndikimin e Frojdit tek ta. Dua vetëm t'ju rrëfej se cili është thelbi i mësimeve të Frojdit; kësodore lexuesi mund të gjykojë vetë për këtë. Po i rendis çështjet më të rendësishme sa më shkurt të jetë e mundur. 1.Forca e brendshme në të gjitha format e jetës është instinktive: libidoja, që në vetevete është e pandryshueshme dhe e pamoralshme, "fara e çdo veprimi dhe e çdo vetie që meriton të ndëshkohet". 2.Gjendjet zanafillore të kësaj force gjatë aktivitetit krijues janë në kuptimin e zakonshëm të fjalës, fizike. Qelizat bashkohen dhe ndahen. Marrëdhënia më e rëndësishme dhe e dukshme mes individëve është marrëdhënia seksuale.3.Me shtimin e rëndësisë së sistemit nervor qendror me më shumë kontroll qendror se sa periferik, numri i formave të kënaqësisë me të cilat libidoja përshtatet, bëhet kryekrejet më i madh.4.Njeriu ndryshon nga pjesa tjetër e botës tjetër organike në faktin se evolucioni i tij nuk ka përfunduar.5.Njohja e vetëdijes shënoi një hap të madh në evolucion dhe gjithçka shenjojmë si të keqe dhe mëkate, është rrjedhojë e kësaj. Frojdi ndryshon nga të dy, Rusoi i cili mohonte Rënien, duke ua mveshur të keqen rrrethanave fizike (Rusoi mendonte se njerëzit janë të këqinj për kah natyra. Ai e shihte të keqen tek ta dhe bënte një jetë vetmitarësh.) dhe poashtu prej doktrinës teologjike që e quan Rënien rezultat të një zgjedhjeje të paramenduar duke e bërë njeriun kësisoj moralisht përgjegjës.6.Rezultat i Rënies qe një ndërgjegje e ndarë në vend të ndërgjegjes në nivelin e kafshës, që përbëhej më së paku prej tre pjesësh: e pandërgjegjshmja, nënndërgjegja e vetëdijshme, nënndërgjegja e vetëdijshme, gjtihë çka e moralshmja dhe shoqëria kërkon e që duhet harruar dhe të mos shprehet.7.Doktrina e shekullit XIX për progresin evolucionist të njerëzores që mposht kafshëroren dhe shuan instinktet shtazore është më së shumti e gënjeshtërt. Paraardhësit filogjenetikë të njeriut ishin të përunjur dhe socialë, ndërkohë që egërsia, dhuna, lufta, të gjitha të ashtuquajturat instinkte parake nuk shfaqen derisa qytetërimi të ketë arritur një nivel të lartë. Një epokë e artë po të flasim në mënyrë përqasëse (ndërsa kërkimet antropologjike priren drejt kësaj), është një fakt historik.8.Ajo çka quajmë të keqe ishte dikur e mirë ose është tejkaluar dhe nuk u çua më tej nga mendja e ndërgjegjshme me idetë e saj morale. Është kjo çështje e Frojdit që shtjelloi D.H.Lawrenc-i dhe së cilës i kushtoi jetën e tij: Njeriu është imoral ngase ka mendjen dhe kurrsesi nuk e pranon këtë të vërtetë. Më e rrezikshmja në shkrimet e Lawrenc-it është lehtësia me të cilën mësimet e tij për të pandërgjegjshmen, me çka kupton nëndërgjegjen e pavetëdijshme, mund të interpretohet si domethënëse që "duhet lënë ndërgjegja jote e vetëdijshme të shprehë veten", si acte gratuite e Andre Zhidit. Në marrëdhëniet njerëzore kjo në vetvete mund të ketë një efekt çlirues për individin. Nëse i marri do të këmbëngulte në marrëzinë e tij, do të bëhej i mençur. Porse marrëzia marrëzi mbetet sidoqoftë dhe një këshillë e llojit "Zemërimi është i drejtë - drejtësia kurrë nuk është e tillë", e cila në jetën private është një kërkesë për ndershmëri emocionale, përbën një këshillë politike të dalëboje, kur kjo do të thotë "bjeru atyre që të kundërshtojnë". Po kështu, qëndrimi i Lawrenc-it në faktin se nëse doni të dini se çfarë është njeriu, duhet të këqyrni jetën e tij seksuale, fare mirë mund të bëjë të besojnë shumë syresh që përmbushja e nevojës seksuale është i vetmi aktivitet i nevojshëm.9.Jo vetëm çfarë ne njohim si mëkat ose krim, por të gjitha sëmundjet janë të qëllimshme. Janë një përpjekje për t'u kuruar. 10.Gjithë ndryshimi, si ai paravajtës, si prapavajtës, shkaktohet prej frustrimit ose tensioneve. Po të ishte kënaqësia seksuale krejtësisht e mjaftueshme, evolucioni njerëzor s'do të kishte ndodhur kurrë. Sëmundja dhe aktiviteti intelektual janë të dyja reagime kundrejt së njëjtës gjë, por jo  të barazvlershme. 11.Natyra e ideve tona morale varet nga natyra e marrëdhënieve me prindërit tanë. 12.Në zanafillë të të gjitha ndjenjave dhe mëkatit është një ndjenjë faji.13.Kurimi përqendrohet në heqjen e kësaj ndjenje faji, në faljen e mëkateve nëpërmjet rrëfimit, rijetimin e përvojës dhe faljen, kuptimin e domethënies së saj. 14.Detyra e psikologjisë ose artit në lidhje me sa u përmend më sipër, nuk është t'u tregojë njerëzve se si të sillen, por të tërheqë vëmendjen e tyre te ajo çka ndërgjegja e pavetëdijshme rreket t'u kumtojë dhe duke zgjeruar njohuritë e tyre për t
ë mirën e të keqen, t'i bëjë më të zotë të zgjedhin, që të mund të jenë shumë herë më tepër të përgjegjshëm moralisht për fatin e tyre. 
15.Për këtë arsye, Psikologjia u kundërvihet të gjitha përgjithësimeve. I bën njerëzit t'i përmbahen vetëm një përgjithësimi dhe padyshim do të vijë një kohë kur gjërat të rrjedhin asisoj që ai të mos mund të zbatohet. Atëherë ose do të përforcojë përgjithësimin, situatën, ndrydhjen, kur t'u fanitet, ose do të përfaqësojë pikëpamjen e kundërt. Vlera e këshillës varet krejtësisht nga konteksti. Ju nuk mund t'u tregoni njerëzve se ç'duhet të bëjnë, mundeni vetëm t'u rrëfeni parabola: dhe kjo është ajo që mund të quhet me të vërtetë art, histori të veçanta për njerëz dhe përvoja të veçanta e në varësi të nevojave të ngutshme e specifike ai mund të nxjerrë përfundimet e veta. 16.Të dy, Marksi dhe Frojdi, nisen nga dështimet e qytetërimeve, njëri nga të varfrit, tjetri nga të sëmurët. Të dy e shohin sjelljen njerëzore të determinuar, në mënyrë të pandërgjegjshme, nga nevojat instiktive, uria dhe dashuria. Të dy duan një botë ku zgjedhja racionale dhe vetëdeterminimi janë të mundshëm. Ndryshimi mes tyre është në mënyrë të pashmangshme ndryshim mes njeriut që studion turmat në rrugë dhe njeriut që sheh pacientin, ose të paktën familjen në klinikën private. Marksi e sheh kahjen e marrëdhënieve mes botës së jashtme dhe të brendshme pa të fshehta, Frojdi anasjelltas. Kështu, të dy janë dyshimtarë kundrejt njëri-tjetrit. Socialistët akuzojnë psikologët për prishje të status quo-së, ndërsa përpiqen t'i përshtatin neurotikën sistemit social, duke e privuar atë nga një revolucion i mundshëm.  Psikologët kundërpërgjigjen se socialistët përpiqen t'i japin pikë vetes me terma që as vetë nuk i kuptojnë, ose me faktin që etja për para është forma e vetme e etjes për pushtet - kështu që pasi të kenë marrë pushtetin me revolucion, do të rikrijojnë të njëjtat kushte. Të dy kanë të drejtë. Për aq sa qytetërimi mbetet siç numri i pacientëve që mund të shërojë psikologu është shumë i vogël, dhe sapo socializmi të marrë pushtetin, duhet të mësojë të drejtojë energjinë e tij të brendshme, pra do të ketë nevojën e psikologut.  Përmbyllje Frojdi ka patur ndikime të dukshme teknike në letërsi posaçërisht në shtjellimin e kohës dhe hapësirës dhe përdorimin e fjalëve më shumë me vijueshmëri asociative sesa logjike. Ai e drejtoi vëmendjen e shkrimtarit kah materiale të tilla si ëndrrat dhe neurozat, gjer më tash të shpërfillura; kah marrëdhënie që gjer më tani nuk janë marrë parasysh sikundër është marrëdhënia mes njerëzve që luajnë tenis; ai e ka rishikuar kultin e njeriut hero. Ai është përvetësuar nga irracionalistët e etur për t'u ikur ndërgjegjes së tyre. Porse këto nuk qenë… shqetësimi ynë. Unë u rreka të rrëfej se çfarë drite hodhi Frojdi mbi gjenezën e artistit, rendit dhe funksionit të tij në shoqëri dhe çfarë kërkesash ka ai për shkrimtarin serioz. Duhet të ekzistojnë gjithmonë dy lloj artesh: arti - arratiak ngase njeriu do të ikë ndërsa ka nevojë për ushqim dhe gjumë të thellë; dhe arti - parabolë, ai art që duhet t'i mësojë njeriut si të çmësoj urrejtjen dhe të mësojë dashurinë… 

marrë nga seguraweb

Leave Comment

Anti-Spam Quiz: