Strategji për menaxhimin e konfliktit të përditshëm

Ne jetojmë me mundësi të pareshtura të konfliktit ditor. Ne hyjmë në konflikte pa dëshirë, me kujdes, të zëmëruar, nervoz, të sigurt – dhe dalim prej tyre të mundur, të rraskapitur, të pikëlluar, të kënaqur, ngadhënjimtar. Dhe ende shume prej neve i nënçmojmë ose i mbivlerësojmë meritat e konfliktit – mundësinë (shansin) që konflikti ofron çdo herë që ndodhë.

Të fillojmë këtë diskutim me dy parakushte: së pari konflikti është i zakonshëm. Mund të mos na pëlqejë, por është pjesë e jetës dhe kjo nuk do të ndryshojë. Së dyti, nuk është e domosdoshme që t’i shmangemi konfliktit; në fakt ai mund të tregohet tejet produktiv. Konflikti tregon prezencën e pikëpamjeve të ndryshme, që në përleshje apo pajtim mund të nxisë krijimtarinë, rritjen e papritur të produktivitetit si dhe forcimin e marrëdhënieve. Shumica prej nesh përjetojmë raste të shumta të konfliktit. Duke filluar nga sofra e mëngjesit deri në dhomë të fjetjes, qindra gjëra të vogla mund te çojnë drejt mospajtimit dhe për arsye te ndryshme, shumica e te cilave janë të natyrshme dhe të paevitueshme.

Shprehitë dhe besimet Në marrëdhëniet tona ne sjellim grumbullin e çdo gjëje që e kemi mësuar ndonjëherë – të gjitha shprehitë tona, të gjitha pikëpamjet dhe besimet që i kemi zhvilluar për ne, njerëzit e tjerë, politikat, fetë, mënyrën e të jetuarit, sjelljen e mirë dhe mënyrën e “drejtë” për të bërë çdo gjë duke filluar nga të veshurit tonë në mëngjes e deri te formimi i psikikës jetësore të fëmijëve tanë. E gjithë kjo larmi, duke përfshirë dallimet racore, kulturore dhe gjinore nënkuptojnë se ne do te shtyhemi, goditemi apo përplasemi me njëri-tjetrin kohë pas kohe.

Resurset e kufizuara, luftërat dhe ndryshimet

Nëse është një biskotë dhe dy fëmijë e duan atë, nëse fondet janë të kufizuara ndërsa programet për t’i harxhuar ato të shumta, nëse është vetëm një gradim dhe tre persona mendojnë që e kanë merituar – konflikt! E njëjta gjë vlen për dhunimin e pronës së njëri-tjetrit, pasurive, famës apo hapësirës. Dhe kur dikush thotë se ne duhet të ndryshojmë, ose fillon të bëjë ndryshime pa pajtimin tonë, ne përgjigjemi me çdo gjë, duke filluar nga agresioni pasiv e deri të rezistenca e hapur.

Reagimi ndaj konfliktit

Shumica prej nesh kemi “stilet” e konfliktit – një apo dy mënyra të preferuara të reagimit ne situatë konfliktuoze. Mirëpo ne mund të reagojmë ndryshe ndaj njerëzve të ndryshëm. Në pjesën me të madhe, stilet janë përgjigje të kushtëzuara e jo zgjidhje të vetëdijshme. Ato mësohen herët në jetë dhe përforcohen çdo herë që shpaguhen duke na nxjerrë nga situatat, duke ndjell simpati, duke harmonizuar ndjenjën e kontrollit, etj. Çështja është që me stil ne zakonisht nuk mendojmë apo planifikojmë, “Në rregull, tani do ta shpërthej mllefin tim për ta tërhequr vëmendjen dhe për ta ngritur veten në një force qe do të ballafaqohet me konfliktin”. Një reagm të tillë nuk e planifikojmë, ai është spontan. Ne vetëm reagojmë.

Kur stili bëhet strategji (dhe anasjelltas)

Strategjia është sjellje (apo varg sjelljesh) e zgjedhur me vetëdije. Ndryshe nga stili (reagim rutinor) strategjia ka qëllim. Sjellja e njëjtë – psh. të shmangurit – mund të jete strategji apo stil, varësisht se a shmangemi për shkak së ajo është zgjidhja me e mirë në kohën e caktuar apo për shkak së të shmangurit është gjithmonë zgjedhja e jonë. Kur përdoren pa vetëdije edhe sjelljet me të ndërlikuara konfliktuoze e humbasin statusin e tyre të strategjisë.Kur kemi të bëjmë me situatë të ngarkuar emocionale, drejtuesi efektiv i konfliktit do të tentoj ta merr në kontroll situatën në mënyrë që të merret me situatën racionalist dhe objektivisht. Varësisht nga natyra e konfliktit, shkalla në të cilën është konflikti dhe fakti se a është qëllimi që konflikti të përshkallëzohet, zvogëlohet apo të zbutet, strategjitë e ndryshme kanë shkallë të ndryshme të përfitimit. Përzgjedhja e strategjisë më të dobishme është shkencë e menaxhimit të konfliktit; të zbatuarit e shkathtë është art.

Si të bëhemi të mirë në konflikt

Kur të bëni zgjedhjen e strategjisë së konfliktit keni parasysh se edhe partneri juaj në konflikt vepron sipas një strategjie. Sa më herët që të jetë e mundur, mundohuni të kuptoni nëse personi tjetër e kontrollon sjelljen e tij dhe se a ka sado pak fleksibilitet në mënyrën se si përgjigjet apo thjesht ai reagon si gjithmonë në situata të këtilla konfliktuoze. Nëse ai çirret apo kërcënon apo ju neverit për shkak së ky është stili i tij, atëherë ju duhet të punoni më shume për të arritur një zgjedhje frytdhënëse por në të njëjtën kohë ju do të jeni në përparësi. Nëse, në anën tjetër keni punë me një partner të shkathtë, përgatituni për një manovrim shumë kreativ të strategjive. Kur partneri mundohet të shmanget nga situata apo ta dominoje atë, mundohuni të kuptoni se çfarë tenton ai të përfitoje dhe si mendon ai të reagoj.

Komunikimi

Para se flasim për dhjetë strategjitë e konfliktit do të flasim për një faktor të rëndësishëm për të menaxhuar konfliktin dhe që është parakusht për të zbatuar dhjetë strategjitë që do të ceken më poshtë: komunikimi. Studiuesit mendojnë se faktor kyç dhe parakusht për komunikimin e palëve është besimi. Ai i shtyn palët të tregohen të hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. Mungesa e besimit e vështirëson komunikimin dhe e pengon marrëveshjen. Kur të keni ndonjë mospajtim me dikë, mos lejo që mosmarrëveshja të shkallëzohet; menjëherë ulu dhe në vetmi mendo rreth problemit. Definoje natyrën e problemit, pastaj dëgjo palën tjetër se ç’ka për të thënë dhe shkëmbeji me të pikëpamjet e tua. Studio të gjitha zgjedhjet e propozuara dhe zgjedhe më të mirën për zgjedhjen e problemit. Poqë se ke ndonjë hall, mund t’ia bësh të ditur këtë hall shokut në të cilin ke besim. Të shkëmbesh me të mendimet dhe pikëpamjet, kështu që përmes kësaj shprehie të zgjerosh dituritë dhe të të zbulosh turli ide të reja nga të cilat do të keshë dobi gjithnjë. Është e rëndësishme që assesi të mos shkëputet komunikimi dhe dialogu, sepse në këtë mënyrë konflikti vetm se do të përshkallëzohej.Për të kuptuar rrezikun e ndërprerjes së komunikimit dhe rolin e besimit në komunikim mund të marrim rastet kur fëmijët adoleshentë humbasin besimin te prindërit, për shkak se ata gjithnjë u kundërvihen dëshirave dhe mendimeve të tyre. Për këtë, dhe për shkaqe të tjera (si për shembull tabuizimi i temave të caktuara, niveli i njëanshëm i bisedës prind-fëmijë etj.) ndërpritet komunikimi i vërtetë dhe adoleshenti gjen besimin te shoqëria e cila jo radhë mund të jetë një faktor që e çon atë te punët e kota dhe të këqija. Me këtë rast këshillat e prindërve me qëllim të përudhje së fëmijës së tyre le që nuk lënë kurrfarë mbrese tek ai, por edhe mund të merren për të keq, sepe “prindërit nuk i kuptojnë dëshirat dhe hallet e tij, ata as që ndalen ta dëgjojnë se ç’ka për të thënë”, ose me fjalë të tjera fëmijët humbasin besimin te prindërit e tyre. Prandaj, është e dobishme që prindërit t’u japin hapësirë fëmijëve të tyre për t’u shprehur, t’i mirëkuptojnë dhe assesi të mos e ndërpresin apo ta prishin komunikimin. Mënyra e komunikimit. Në rezultatin e konfliktit ndikon edhe mënyra se si komunikojnë palët, se si ia shprehin ndjenjat dhe emocionet e tyre njëri-tjetrit. Kur kundërshtarët sqarojnë pozitat e tyre dhe marrin parasysh pikëpamjet e njeri-tjetrit, ato arrijnë të merren vesh dhe ta kuptojnë saktë njëri-tjetrin. Si rregull çiftet që komunikojnë shqetësimet e tyre hapur dhe drejtpërdrejt kanë martesë të lumtur.

Dhjetë strategjitë e konfliktit

Këtu janë dhënë dhjetë strategji që mund të përdoren në konflikt për të sjellur rezultate te dëshiruara.

  1. Braktisja
  2. Shmangia
  3. Dominimi
  4. Detyrimi
  5. Kërkimi i ndihmës
  6. Humori
  7. Shtyrja
  8. Kompromisi
  9. Integrimi
  10. Bashkëpunimi/Zgjedhja e problemit

T’i shqyrtojmë së pari detajisht tri të parat.Nga ajo që u tha për stilin dhe strategjinë u pa se stili i konfliktit është mënyra refleksive dhe e zakonshme e reagimit ne konflikt, ndërsa strategjia është një veprim (apo varg veprimesh) i zgjedhur me vetëdije për shkak të aftësisë së arritjes se rezultatit te dëshiruar. Pothuaj cdokush e ka stilin e preferuar te konfliktit. Ne vend se te jeshë rob i stilit, tento ta rritesh repertorin e sjelljeve ne konflikt. Jepi vetes disa zgjidhje. Këto seri do t’i vlerësojnë gjithsej dhjetë strategji konflikti. Këtu janë tri të parat:

1. Braktisja

Braktisja e konfliktit do te thotë, fjalë për fjalë apo figurativisht, largim nga ai. Disa konflikte rezultojnë ne dyluftim te pakuptimte me pak apo pa pasoja fare, qoftë të mira apo të këqia. Thjesht nuk ia vlen të shpenzohet kohë dhe energji për to. Aq me shume nëse je pakicë, ndihesh fizikisht i kërcënuar, apo ndodhesh në mes të konfliktit të dikujt tjetër dhe për arsye personale, profesionale dhe etike nuk dëshiron të marrësh pjesë, atëherë braktisja është me gjasë zgjedhja me e mirë.

Ç’të thuash: Nuk ka nevoje për arsyetime apo fjalime. Mund te thuash diçka te tille: Mjafton kaq për mua, Arben – grindja nuk është në listën e gjerave që do t’i bej sot. Apo: Ore, nuk ia vlen te grindemi – le ta harrojmë këtë çështje.

2. Shmangia

Të shmangurit është njëra nga strategjitë më të rendomta për ta përballuar konfliktin apo konfliktin e mundshëm. Shmangia nga konflikti nuk do te thotë se ti je një burracak – përveç nëse e bën këtë gjate gjithe kohes. Shmangia është një strategji legjitime kur ke nevoje për t’u qetesuar, kur nuk ka përfitim nga situata konfrontuese, kur fuqia është dukshëm e pabarabartë, kur dëshiron të distancohesh nga personi tjetër apo kur të duhet kohë për t’u pregatitur. Shmangia e blen kohën. Përdore kohën mençur kur e ke ne disponim. Për shembull, nëse e shtyn takimin, shko menjëherë në punë, përgatitu dhe riplanifiko.

Ç’të thuash: Mos u zhduk! Prano se konflikti ekziston dhe mirato haptas ndjenjat e personit tjetër para se të tërhiqesh. Për shembull mund të thuash: E shoh se je i brengosur për këtë, por për fat të keq kam një obligim tjetër tani. Të flasim nesër – apo – më duhet t’i shikoj faktet. A mund të takoj ketë pasdite?

3. Dominimi

Dominimi është një strategji e dobishme kur duhet te merret vendim i shpejte apo kur çështja është relativisht e parëndësishme. Dominimi zakonisht ka orientim fuqie dhe zbatohet me force. Aftësia për ta marre kontrollin mund te jetë mjaft e dobishme në rast se personi tjetër nuk ka dijeni dhe ekspertize te duhur, dhe kundërshtari yt është i lehtësuar meqë ti mund t’i ofrosh zgjidhje. Mos tento të dominosh shumë shpesh. Dominimi është i dobishëm vetëm përderisa “drejtësia dhe forca” janë në anën tënde.

Çfarë të thuash: Kjo strategji nuk do duhej zbatuar me ngurrim apo frikë. Bëhu kategorik. Për shembull thuaj: I kuptoj brengat e tua. Tani dëgjo me kujdes vlerësimin tim – Unë e di se çfarë po flas, – apo – Kjo që ndodh tani është e tepërt. Vepro sikurse të këshillova, dhe çdo gjë do të jetë në rregull. Tri strategjitë e konfliktit që u shqyrtuan më lartë (braktisja, shmangia dhe dominimi) ishin strategji të bashkëpunimit të ulët. Nuk ke nevoje për pajtim nga ana e kundërshtarit për t’i ikur konfliktit apo për t’u fshehur nga ai. Nuk duhet bere shume për ta kontrolluar konfliktin, përveç nëse nuk ke fuqi te mjaftueshme, me ç’rast me gjasë nuk do të duhej tentuar te dominosh fare. Tri strategjitë që kërkojnë më shume pjesëmarrje të personit tjetër: detyrimi, kërkimi i ndihmës dhe përdorimi i humorit, e ngrenë shkallën e bashkëpunimit.

4. Detyrimi

Detyrimi përdoret me qëllim të ngritjes së personit tjetër, duke mundësuar që ai të ndihet më mirë në lidhje me situatën. Me detyrim i minimizoni dallimet mes teje dhe kundershtarit. Është mënyre e kërkimit të gjërave të përbashkëta. Detyrimi kërkon që t’a dorëzoni fuqinë dhe kjo, duke supozuar se ke mjaftë, mund ta ndërtoje vetëbesimin. Nëse jeni të sigurtë ne pozitën tuaj, detyrimi pothuaj bëhet një lloj delegimi.

Çfarë të thuash: Mbështetu, çlodhu dhe me vetëbesim dorëzoi frerët, duke e bere te qarte se kete e ben me vetedeshire e jo me detyrim. Për shembull, thuaj: Nuk jam specialist ne këtë lemi. Çfarë ti mendon që duhet bërë? — apo — Kam një mori kërkesash të tjera tani, por mendoj se kjo çeshtje është shumë e rëndësishme. Kam besim të plotë që ti mund japesh një alternative që do te hynte ne pune.

5. Kërkimi i ndihmës/Ndërmjetësimi apo arbitrimi

Gjithashtu e quajtur “ndërhyrje kërkimore”, kjo strategji perfshin thirrjen e një pale të tretë për të vepruar si ndërmjetësues konflikti. Ndonjëhere konflikti nuk mund te zgjidhet vetëm me pjesëmarrjen e personave që kanë mosmarrëveshje. Nëse dallimi në aftësi është në disfavor të cilësdo palë, nëse emocionet janë te sterngarkuara, nëse barriera gjuhësore është e pranishme apo nëse kundërshtari juaj nuk bashkepunon fare, mbase duhet te kërkoni ndihmë. Ndërmjetesimi është gjithmonë i duhur nëse kundërshtari kërcënon të hakmerret ne çfarëdo mënyre ndaj jush. Disa konflikte janë shumë komplekse e të ndërlikuara, interesat që përplasen janë ekstreme sa që është e pamundur zgjedhja e lehtë e tyre. Prandaj, të dyja palët pranojnë arbitrimin duke zgjedhur një ndërmjetës ose një palë të tretë që të imponojë një zgjidhje. Për të dyja palët është më e lehtë t’i bëjnë lëshime ndërmjetësuesit, se në këtë rast ata nuk do të detyroheshin nga kundërshtari, por nga një palë asnjanëse që nuk ka përfitim të drejtpërdrejtë në këtë konflikt. Kjo teknikë i kërkon çdo pale që të deklarojë qëllimet pajtuese. Duke i bërë ato reciproke, iniciatori i shtyn palët që të ndërmarrin disa veprime pajtuese në nivele fillestare. Ndërmjetësuesit ndihmojnë për të zgjedhur konfliktin duke lehtësuar komunikimin. Detyra e parë e tyre është t’i ndihmojnë palët që ta rimendojnë konfliktin dhe të marrin informacion për interesat e palës tjetër. Ndërhyrja familjare shpeshherë nënkupton ndërmjetësim formal në divorc dhe shpeshherë i referohet kujdestarisë së fëmijës. Ndërhyrja familjare gjithashtu mund të jetë mjet i çmuar për të ruajtur familjet e pacenuara dhe për të përmirësuar jetën e familjes së zgjeruar. Ekzistojnë shumë çështje të bindshme se mjeshtëritë e ndërhyrjes mund të përmirësojnë jetën familjare. Deri në këtë pikë të historisë nevoja më e madhe për palën formale neutrale ndodh në divorc apo në situatat para divorcit. Këtu do të flasim për ndërmjetësimin si një teknikë jetësore familjare dhe si një metodë për të ruajtur familjet nga dëmi dhe si metodë për t’u marrë me çështjet që dalin në divorc apo ndarje. Këto teknika duhet t’i aplikojnë këshilltarët, priftërinjtë, gjykatësit dhe personat në profesione të tjera ndihmëse si dhe personat që përgatiten për karrierë si neutralë.

Çfarë të thuash: Meqë nuk mund ta fshehësh ndërmjetësuesin në valixhe, qasja e çilter dhe kategorike është me e preferuara. Thuaj dic te tille: Mendoj qe duhet të kërkojmë nga pala e tretë të ulet mes nesh për ta zgjidhur këtë çështje – apo – Kam kërkuar nga Besa të na bashkangjitet sot, për shkak se une mendoj qe ajo mund te na ndihmoj për ta zgjidhur këtë çështje. Je dakord me këtë?

6. Përdorimi i humorit

Përdorimi i humorit për zbutjen e konfliktit mund te jete i dobishëm sidomos nëse ju dhe kundërshtari jeni te barabarte, apo konflikti nuk është tepër serioz. Humori mund të shkaktojë që e tërë situata të vështrohet nga një kënd zbavitës, apo në përgjithësi shkakton lehtësimin e situatës.

Çfarë të thuhet: Shakatë nuk duhet të jenë të rastësishme. Humori qe nuk ka te bëjë me situatën mund te shkaktoj armiqësi te personi tjetër dhe efekt të kundërt nga ai që ti e dëshiron.

7. Shtyrja

Shtyrja është lënia për nesër e çështjes me te cilën as ju e as personi tjetër nuk jeni te gatshëm te merreni sot. Dallon nga shmangia për faktin që shtyrja është lloj i marrëveshjes paraprake e nivelit të ulët. Aftësia e arritjes së marrëveshjes së përbashkët për të lënë konfliktin deri sa të qetësohen palët, të pushojnë apo përderisa te mblidhen faktet, kërkon kontroll dhe shkathtësi .Shtyrja është një strategji e jo një rrugëdalje, andaj para se te ndaheni përcaktoni kohën dhe vendin e kontaktit tuaj të ardhshëm.

Çfarë te thuash: Shtyrja kërkon marrëveshje, prandaj thuaj diçka të tillë si: Thjesht nuk jam i gatshëm për këtë çështje tani, po ti? – apo – Kujtoj se që të dytë jemi tejet të shqetësuar për të qenë efikas. Të flasim te premten, pas disa ditësh qetësimi.

8. Kompromisi/Ujdia

Në shumë raste kur kërkon shumë, merr më shumë. Por, në çoftë se kërkesa këmbëngulëse zgjat shumë dhe nuk lëshon pe, atëherë mundësia e konfliktit bëhet realitet. Vetëm duke toleruar kërkesat e njëri-tjetrit mund të arrihet te një marrëveshje e drejtpërdrejtë. Kjo është strategji e “mesit të rrugës”, e cila e nxitë secilin të flas lidhur me çështjet duke i vendosur palët më afër njëra tjetrës si dhe zgjidhjes se çështjes. Në kompromis, çdo person ka për të dhënë dhe marrë diçka. Kompromisi është më efektiv kur çështjet janë komplekse dhe fuqia e balancuar. Kompromisi mund të zgjedhet atëherë kur metodat tjera dështojnë dhe kur ti dhe kundërshtari keni pozita jo këmbëngulëse, dhe pranoni lëshime të dyanshme. Kjo pothuaj gjithmonë nënkupton dhënien e ndonjë gjëje për ta marrë pjesën të cilën e do. Negociatat dhe pazarllëqet janë shkathtësi komplementare.
Çfarë te thuhet: Nise fazen e negociatave duke thënë kështu: Është e qartë se kemi mendime të ndryshme. Cila është oferta e fundit? – apo – Duhet të lëshojmë pe në diçka për ta zgjidhur çështjen. Të shohim se çfarë mund të bëjmë.Një nga pengesat më të mëdha të zgjidhjes frytdhënëse të konfliktit qëndron në faktin qe njerëzit nuk thonë atë qe mendojnë apo atë qe me të vërtetë ndjejnë.Ja një shembull tipik:“Dukesh e shqetësuar, zemër. Çfarë ka ndodhur?”“Asgjë, vetëm jam e lodhur.”“Je akoma e zemëruar me mua për shkak se u vonova këtë pasdite?”Qetësi.“Thashë se me vjen keq”.“Nuk dua të flas për këtë. Ka kaluar, në rregull?”Refuzimi për ta pranuar konfliktin nuk e largon atë. Ca njerëz fshehin ndjenjat duke heshtur dhe akumuluar numër të madh të ankesave për t’i zbrazur ato mbi personin tjetër, kur ai e pret më se paku.

9. Integrimi

Integrimi fokusohet në mbledhjen dhe organizimin e informatave; në të njëjtën kohë stimulon të menduarit kreativ dhe mirëpret perspektiva të ndryshme. Të supozojmë, për shembull, që konflikti ka te bëjë me një shpenzim te madh financiar. Nuk ju pëlqen rrjedha e ngjarjeve, por ju mungojnë faktet dhe shifrat. As personi tjetër nuk e ka informatën e plotë por nuk e sheh të arsyeshme ta ndërrojë kursin. Në vend të vazhdimit të diskutimit ju pajtoheni të integroheni – t’i mblidhni te gjitha informatat në të cilat mund të keni, harroni dallimet dhe vlerësoni ato bashkë me të dhëna të tjera që mund të kontribuojnë drejt zgjidhjes. Integrimi ju shndërron ju dhe kundërshtarin tuaj në aleatë, në misionin e zotërimit të ndërlikueshmërisë së çështjes duke gjetur në këtë mënyrë zgjidhje alternative. Integrimi është shpesh hyrje që i paraprinë bashkëpunimit dhe zgjidhjes së problemit.

Çfarë të thuhet: Apeloi kapacitetit të kundërshtarit për të menduar dhe arsyetuar duke i thënë diçka të tillë: Le t’i zgjedhim ngatërresat tona dhe te shohim se çfarë është duke ndodhur në të vërtetë, - apo - Nuk kemi fakte te mjaftueshme që të diskutojmë rreth zgjidhjes. Ta shpenzojmë energjinë për të mësuar atë që mundemi për këtë.

10. Bashkëpunimi

Bashkëpunimi nënkupton punën e përbashkët drejt zgjedhjes së konfliktit, dhe mundëson mbledhjen e informatave si dhe një lloj zgjidhjeje të problemit. Për të bashkëpunuar, ju dhe kundërshtari juaj duhet te jeni në gjendje si dhe te keni vullnet për të dhënë kontributin në kohë, energji dhe mjete për gjetjen dhe zbatimin e zgjedhjes. Procesi tipik i zgjedhjes se problemit përfshin këta hapa:

  1. Definimi i sakte i konfliktit, përfshire këtu të gjitha pjesët,
  2. Mbledhja e informatave (integrimi), rritja e numrit të të dhënave për zgjedhje,
  3. Kur njohuritë mbi çështjen arrijnë nivelin e pritur, fillo të nxjerresh alternativë,
  4. Vlerësoi alternativat. Parashiko përplasjet dhe pasojat për secilën,
  5. Siguro pajtim të plotë për alternativen më të mirë (apo kombinimin e alternativave),
  6. Implementoje.
  7. Vlerësoje. Le të kalojë zgjidhja një provë të arsyeshme. Nëse i tërë apo një pjese e konfliktit mbetet i pazgjidhur, kthehu te hapi 5. Nëse hasë ne zbrazëti informatash, kthehu te hapi 2.

Çfarë te thuhet: Shprehe vetëbesimin në aftësinë tënde për realizimin e gjërave me personin tjetër. Për shembull, thuaj: Që të dytë ne meritojme te ndjehemi mirë në lidhje me atë që ka ndodhur. Kjo do të thotë se do të punojmë njëri pranë tjetrit për të gjetur zgjedhjen më të mire, - apo - Se bashku, nuk mund te deshtojme ne zgjidhjen e kesaj. I kemi mjetet dhe qe te dy jemi te përkushtuar për ta gjete zgjidhjen.

Mëso të bashkëpunosh

Të shohim dialogun e babait dhe të birit të cilët nuk u pajtuan në lidhje me si të kalojnë pushimet:Babai: Nuk çaj kokën se si ndjehesh: do ti kalosh pushimet me ne deshe a nuk deshe! Sa muaj kemi planifikuar për këto pushime, për atë nuk të lejojmë të na i prishësh planet!Biri: Nuk dua të vij me ju, dua të jem me shokët.Babai: Nuk mundem të të lejojë të rrish vetëm në shtëpi, ngase merakosem për ty gjatë tërë kohës së pushimeve. Këtu kemi një situatë konfliktuoze në mes babait dhe të birit. Në rast të problemeve të ngjashme, propozojmë që ato të trajtohen duke përfillë këta hapa:

Së pari: definimi i problemit. Problemi është se babai don që i biri të kalojë pushimet së bashku me të, ndërkaq i biri dëshiron të mbetet me shokët;

Së dyti: të kuptohen idetë dhe mendimet e të tjerëve. Është e rëndësishme të heshtim dhe të dëgjojmë ç’kanë për të thënë të tjerët. Në rastin tonë, biri dhe babai të kuptojnë idetë e njër-tjetrit: këto pushime janë të rëndësishme për babain, kështu që ai don t’i kalojë ato me tërë familjen, por ndërkohë biri nuk don të shkojë me familjen. Në këtë rast, duhet të tregohen mendimet dhe dëshirat e secilit; t’u ipet rast atyre të flasin dhe t’i dëgjosh dhe më pas ti të flasësh e ata të dëgjojnë ty. Tregoju arsyet e qëndrimit tënd, për shembull në këtë rast: Dëshiroj të qëndroj me shokët e mi, sepse kemi ca plane së bashku dhe nuk dua të mungoj.

Së treti: kreativiteti. Do me thënë të gjenden ide dhe zgjedhje të reja për problemin përkatës, duke marrë pjesë në këtë përpjekje të gjithë. Gjatë angazhimit të gjetjes së zgjedhjes kreative përmbahu këtyre rregullave:

  • Mos propozo zgjedhje të çuditshme;
  • Iki kritikës, ngase ajo vret kreativitetin;
  • Përpiqu të mbështetesh në ide të mira dhe të shëndosha, ngase secila ide të çon në një ide tjetër të re;

Në problemin të cilin e morëm shembull, mbase do të arrihej në njërën nga këto zgjedhje:

  • Babai mund të propozojë të shkojnë të gjithë në një vend ku do të ishin të pajtimit të gjithë anëtarët e familjes e edhe i biri;
  • Biri sugjeron që i biri të rri në shtëpi me një nga të afërmit (në mënyrë që babai të mos merakoset);
  • Biri propozon të mbetet në shtëpi për një kohë, me kusht që më vonë t’i bashkangjitet familjes;
  • Babai pranon që biri të rrijë me kusht që të kryejë ca punë në shtëpi, si për shembull:
  • Kështu bashkëpunimi i anëtarëve të familjes do të jap një zgjedhje të suksesshme të këtij problemi.

Gjuha pozitive

Gjuha me të cilën flasim ndikon nëse ne do të ngujohemi në konflikte apo do t’i ndalojmë ato të cilat janë të panevojshme. Në këtë artikull do të paraqesim disa elemente themelore të gjuhës pozitive. Përdorimi i gjuhës pozitive Gjuha është një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm. Qoftë komunikim gojor apo me shkrim mënyra se si e shpreheni do të ndikojnë që mesazhi juaj të pranohet pozitivisht apo negativisht. Madje edhe kur të kumtoni lajme jo të mira, ndikimi mund të zbutet poqë se përdorni atë që e quajmë gjuhë pozitive. Në këtë artikull do të shohim disa mënyra se si mund të komunikoni në një mënyrë më pozitive nga e cila mund të nxirret bashkëpunimi dhe jo zënka apo kundërvënia. Mos ofroni shumë kritika të ideve dhe mos jepni gjithnjë arsye se përse diçka nuk mund të ndodhë. Jepni sugjerime apo alternativa, dhe mos gjej pikat e dobëta të ideve të të tjerëve. Ju mund të mos keni qëndrime negative gjithnjë, por poqë se përdorni një gjuhë që jep përshtypje negative mund të keqkuptoheni se keni qëndrime negative. Mësoni të shprehni komentet tuaja në mënyra më konstruktive dhe më pozitive. Është shumë lehtë të përdoret gjuha negative. Shumë kush nga ne këtë e bëjnë pa qenë të vetëdijshëm për këtë. Të marrim një shembull se si dikush mund të shprehë një mospranim në dy mënyra: në mënyrën negative dhe atë pozitive. Ta zëmë se babai i drejtohet vajzës së tij pasi që ajo ka kërkuar leje për të festuar marrjen e diplomës me shoqërinë e saj diku jashtë shtëpisë.“Po më vjen keq, por nuk mund të lejoj të shkosh, pasi që nuk më ke dhënë informacion të mjaftueshëm. Të lutna më trego të gjitha në lidhje me vendin ku po shkoni dhe sa do të harxhosh”Ndërsa kjo gjuhë është e sjellshme (ndonëse formale), është tepër negative. Përmban disa fjalë negative – nuk mund, nuk më ke dhënë dhe ka një ton që fajëson vajzën. Krahaso këtë shembull me një gjuhë pozitive. “Urime për diplomën. Duhesh të më tregosh më shumë; ku po shkon, sa do të para do të harxhosh, dhe menjëherë do të të lejojë.”Hetohet se shembulli negativ i thotë personit se çfarë ka bërë gabim dhe nuk thekson gjërat pozitive të cilat duhet të bëhen për të zgjedhur problemin. Në shembullin e gjuhës negative gjithë informata e duhur është aty, por në njëfarë mënyre është e shprehur në mënyrë burokratike, të ftohtë dhe negative. Shembulli pozitiv është krejtësisht i ndryshëm. Ndonëse përmban informatat e njëjta, ka një ton më të pranuar dhe më efikas.

Gjuha negative dhe pozitive

Shprehja dhe gjuha negative shpeshherë ka tiparet vijuese:

  • i thotë bashkëbiseduesit se çfarë duhet të bëjë,
  • i thotë bashkëbiseduesit se çfarë nuk mund të bëjë,
  • ka një ton fajësues,
  • përmban fjalë të tilla si: nuk mundet, nuk do të, s’ka mundësi, që i tregon bashkëbiseduesit se çfarë nuk mund të bëjë,
  • nuk thekson veprimet pozitive që do të kishin pasoja pozitive.

Shprehja dhe gjuha pozitive ka cilësitë vijuese:

  • i thotë bashkëbiseduesit se çfarë mund të bëjë,
  • propozon alternativa dhe zgjedhje të mundshme,
  • tingëllon inkurajuese dhe jo formale,
  • thekson veprimet dhe pasojat pozitive që mund të priten.

Përfundim

Gjuha negative përçon imazh të keq te bashkëbiseduesi dhe tek të tjerët përreth. Nganjëherë ajo shkakton konflikt dhe kundërvënie kur nuk është e nevojshme dhe kur askush nuk e do atë. Ushtroni gjuhën pozitive dhe do të jeni më të suksesshëm në konflikte të cilat do t’i zbutni dhe do t’i kaloni sukses.


________________________

marrë nga trendet.net

3 comments
Leave a comment »

  1. southeastern@constitutes.crater” rel=”nofollow”>.…

    áëàãîäàðþ!…

  2. hartweger@refractory.sustaining” rel=”nofollow”>.…

    tnx for info!…

  3. hadrian@liberals.earp” rel=”nofollow”>.…

    ñïàñèáî çà èíôó!!…

Leave Comment

Anti-Spam Quiz: